Katër kandidatët e primareve të PD, Belind Këlliçi, Gert Bogdani, Ilir Alimehmeti dhe Adriana Kalaja shpalosën në Çim Peka Live, në Syri Tv, vizionin e tyre për Tiranën, nëse fitojnë primaret. Por a jetojnë dot me rrogën e kryetarit të bashkisë Tiranë e cila është më pak se 2 mln lekë të vjetra në muaj?
Belind Këlliçi: Mund t’ia dal siç ia kam dalë deri tani që e kam më të ulët rrogën. Kam patur fatin të ndihmohem nga familja dhe vëllai im. Se nuk ia del dot. Unë do të jetoj pa vjedhur. Dorën në xhep nuk ia kam futur kujt. Nuk kam firmosur kurrë asnjë akt të parregullt. Këtë integritet do ta ruaj deri në fund të jetës time. Gjykoj që pagat në Shqipëri janë të ulëta, vendet e punës në Tiranë paguhen pak.
Gert Bogdani: Siç kam jetuar 42 vjet të jetës time. Sot duhet të ketë një rishikim të vlerësimit të punës dhe kontributit të gjithkujt, jo vetëm nga deputetët, por në çdo nivel. Nëse leket bëhen rrush e kumbulla për Malumën…UKT është i tejfryrë me punonjës, janë qoka të kryetarit të bashkisë me miqtë e vet. Nëse fondet mirëmenaxhohen, ke mundësi për rroga më të mira.
Ilir Alimehmeti: Pedagogët te kategoria ime duhet të kenë një pagë neto te 780 mijë lekë të vjetra. Kemi muaj që po organizojmë peticione, kam qenë në protestë sepse mendoj përmes punës së ndershme mund të ecësh përpara. Kjo e çon dinjitetin e një vendi përpara. Na ka kapërcyer Kosova, një shtet prej 15 vjetësh.
Adriana Kalaja: Nisur nga niveli i pagave në Shqipëri, ku minimumi është 340 mijë lekë të vjetra, unë nuk mendoj se 2 mln lekë janë një pagë e vogël, apo një pagë që nuk jetohet. Është një pagë e mirë për një kryetar bashkie. Këtë punë nuk e bëjmë as për pagën e bashkisë, por së pari unë heq dorë nga gjithë ajo deklaratë që bëj publike lidhur me të ardhurat e mia ligjore në tatime, sepse unë e besoj se Tirana ndryshon, ku aty do të ketë transparencë, do të ketë zbatim të ligjit, aty do të ketë respektim qoftë të kompanive që performojnë mirë në raport me detyrimet që kanë ndaj bashkisë së Tiranës.