Aktori i humorit Agron Llakaj ka ndarë detaje nga jeta e tij private dhe profesioni.

Ditën e sotme ai ishte i ftuar në “Ditë pas dite” në një intervistë përballë Fjodora Fjorës, ku foli më shumë rreth karrierës së tij. Prej vitesh aktori sjell në ekran programin e humorit “Al Pazar” ku disa dy personazhet që luhen nga ai janë xha Teme dhe Aneja.

“Personazhi i xha Temes është në fakt gjyshi im. Ndërsa mënyra e të folurës dhe narrative që përdor te ai rol ja kam marrë babait tim. Babi im është artist në thelb, nuk mërzit kurr asnjeri, do vetëm të dhurojë të qeshura”, tha aktori duke shtuar se për personaxhin e Anesë është frymëzuar nga mamaja dhe vjehrra. “Aneja është një përzierje mes vjehrrës time dhe mamasë. Një plakë e mirëfilltë jugu”.

Artisti gjithashtu foli edhe rreth situatës aktuale të artit dhe humorit në Shqipëri. Ai u shpreh se humori duhet të dominojë politikën në televizion.

“Më mirë 10 spektakle humori se sa 100 emisione politike”.

Megjithatë, sipas Llakajt, edhe pse kemi një numër të konsiderueshëm të programeve dedikuar humorit, mungon një format gjigand. “Për kaq sa jemi, si popull dhe vend, kemi shumë spektakle humoristike dhe prapë nuk kemi një gjigand personifikues”.

Ndër të tjera ai ka folur edhe për jetën e tij private, duke veçuar momentin më të vështirë që ka përjetuar.

“Vitin e kaluar në muajin nëntor më vdiq motra e madhe, në moshën 65 vjeçare për shkak të Covid19. Ishte periudha më e vështirë në jetën time. Dy ditë pas vdekjes së motrës dola në skenë për të dhuruar të qeshura. Me dukej sikur Zoti më vendosi në tel të provës se sa mbaja”, tregoi aktori me lot në sy.