Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi pranoi në një intervistë për Breaking në Top Neës se nuk ka një diplomë të shkollës së mesme. Ai tha se në Shqipëri ka kryer 4 vite te Instituti “Harry Fultz” nga pesë vitet e kohëzgjatjes së programit studimor që ka ndjekur.

Një investigim të publikuar në media, faktohej se Belind Këlliçi është regjistruar në universitetin “Coppin University” në Maryland, SHBA dhe më pas ka bërë edhe njësimin e diplomës në Shqipëri pa pasur një diplomë të shkollës së mesme.

Mungesa e diplomës së shkollës së mesme vihet re edhe në formularin e dekriminalizimit, që Këlliçi ka plotësuar dhe dorëzuar në KQZ-së si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Në pjesën e jetëshkrimit dhe të arsimimit, ai citon vetëm diplomën e marrë në universitetin amerikan, ndonëse mes kritereve që përcaktohet në plotësimin e formularit është renditja e arsimimit nga më i hershmi te më i vonshmi në rend kronologjik.

Këlliçi shkruan në formular se zotëron arsimin e lartë dhe në kllapa ka vendosur emrin e universitetit amerikan. Në të njëjtin formular nuk përmendet për asnjë moment Instituti Harry Fultz, ku ai ka ndjekur katër vite studimet dhe më pas është larguar nga kjo shkollë.

Vetë kandidati për kryetar bashkie në Tiranë thotë se ka ndërprerë studimet në Harry Fultz dhe në SHBA u është nënshtruar dhe ka marrë provimet shtesë për të plotësuar kriteret e pranimit në universitetin “Coppin’./ Top News