Shpenzimet kapitale ranë me 2.7 herë në tremujorin e parë të vitit teksa realizimi i projekteve publike duket në ngërç. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se për periudhën janar mars 2024, qeveria investoi gjithsej 4.8 miliardë lekë ose 48 milionë euro në vepra publike nga 12.7 miliardë lekë që ishte shifra për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Thuajse e gjithë rënia vjen tërësisht nga investimet me fondet e brendshme të buxhetit. Këto të fundit ranë nga 9.5 miliardë lekë që ishin vjet në fund të marsit, në 2.6 miliardë lekë këtë vit. Statistikat e hollësishme tregojnë se edhe ky realizim i dobët i investimeve të brendshme vjen kryesisht nga pagesat për projektet koncesionare ose ato ekzistuese. Ndërsa investimet e reja thuajse janë inekzistente.

Rënia dramatike e investimene të qeverisë duket e lidhur me disa shkaqe. Së pari çelja me vonesë e buxhetit për këtë vit dhe ndryshimi i tij ende pa u mbushur 2 muaj nga miratimi. Por një tjetër shkak madhor, që po përflitet si frenues i investimeve është frika e zyrtarëve të për të firmosur projektet publike.

Arrestimet e SPAK gjatë muajve të fundit dhe vënia nën hetim e shumë zyrtarëve të lartë të shtetit, veçanërisht ata që drejtojnë njësitë më të mëdha shpenzuese si rrugët, ujësjellësat, energjetikën dhe sektorin e IT-së me sa duket kanë krijuar një ambient hezitimi në zyrat e shtetit, ku projektet zvarriten dhe dosjet ngelen në sirtarët e institucioneve.