Ish deputetja e PD-së, Rudina Hajdari është rikthyer sërish në parti, pas ftesës nga ish lideri Sali Berisha.

Ajo ka dhënë një intervistë për news24, ku ka shprehur dëshirën e saj për të qenë në krye të PD-së dhe për garën “e padrejtë” që mund të zhvillohej nëse Berisha do të ishte kandidat për kryetar.

Hajdari: PD s’është aty ku duhet të ishte. Kjo ka ardhur si një pasojë e mënyrës se si janë organizuar dhe trajtuar anëtarësia, demokratët. Nëse ka pasur disfata në zgjedhjet duhet patjetër që kryetari i partisë të hapte krahun dhe të bëheshin zgjedhje të ndershme. Nuk duhet lejuar servilizmi sepse ajo sjell dëm të madh. Kjo bëhet në mënyrë të rëndomtë.

Pyetje: Sa e barabartë do të jetë gara duke pasur parasysh mbështetjen që ai ka te demokratët.

Hajdari: Do të jetë e vështirë. Ka një procedurë. Ende s’kam parë se kush ka depozituar kërkesën. Nuk mund të them se si do të shkojë procesi. Le t’i japim kohë për të parë se kush do të jenë kandidaturat. Përballë zotit Berisha do të jetë e vështirë për të pasur rivalë. Do të jetë e vështirë. Zoti Berisha ka një rol të rëndësishëm brenda PD dhe ndikimi i tij është i madh. PD i duhet një ofertë e re dhe duhet të apelojnë jo vetëm demokratët. Partia nuk duhet të bazohet te një individ. Duhet të krijojmë një ekip, të kemi disa njerëz. Aftësitë që janë aty brenda mund ta bëjnë këtë. Duhet një besim i ndërsjelltë nga të gjithë funksionarët brenda PD. Duke ia lënë në dorë votës dhe duke zbatuar statutin mund të arrihen te këto ide, duke i qëndruar parimeve dhe jo mënyrën se si mund të zgjidhen disa çështje brenda PD. Kushdo që ka dëshirë të sfidojë zotin Berisha duhet ta bëjë këtë gjë sepse anëtarësia në të ardhmen do të përqafojë një figurë të re. Nga ’91 deri në 2022 ka kaluar mjaftueshëm kohë që me zotin Berisha Shqipëria ka arritur shumë. Tani është koha të kemi një alternativë tjetër. Mendimi im personal, e kam thënë dhe e rithem. Unë vazhdoj të mendoj që cikli i Berishës ka mbaruar, por kush jam unë të vendos në pikëpyetje dëshirën e demokratëve.

Pyetje: Figurë që do e drejtonte denjësisht PD?

Hajdari: Nuk mund të fsheh faktin që kam pasur ambicie të ecë përpara në PD. Nuk mendoj që tani është momenti për të qenë kryetare e PD. Në të ardhmen do e shihja si opsion, kjo do të ndodhë në mënyrë të natyrshme. Unë sot e shoh veten si anëtare e Këshillit Kombëtar, ose më saktë si kandidate. Më tutje do të shohim mënyrën se si ata do të më besojnë. Dëshira ime është që parimet që kam t’i zbërthej në parim. Shkëputja ime nga PD në këto 2 vite ka dhënë efektet e veta. Ky është një hap i rëndësishëm në angazhimin tim brenda PD.