Kohët e fundit, urrejtja është shfaqur shpeshherë gjatë lajmeve të mbrëmjes apo edhe rrjetet sociale.

Komenti mbi natyrën e urrejtjes mund të ketë filluar me Aristotelin (384–322 p.e.s.), i cili besonte se “urrejtja lind pa fyerje të mëparshme, është e papenduar për personin që e përjeton, e pashërueshme nga koha dhe përpiqet për asgjësimin e objektivit të saj”.

Darvini, në 1872, e përshkroi urrejtjen si një ndjenjë që i mungon një shprehje e veçantë e fytyrës dhe shfaqet si tërbim. Në mënyrë tipike, urrejtja shihet si një formë ekstreme e mospëlqimit, një version i përforcuar i zemërimit, neverisë ose përbuzjes dhe një gadishmëri për të bërë dëm.

Psikologët besojnë se urrejtja ka më shumë gjasa të shfaqet në prani të shkeljeve morale, veçanërisht kur objektivat e urrejtjes perceptohen si të këqija, imorale dhe të rrezikshme. Prandaj, nuk është për t’u habitur që politikanët shpesh shajnë kundërshtarët e tyre duke përdorur terma negativë.

Në studimet që krahasonin urrejtjen me emocionet e tjera, neveria ndante të përbashkëtat më të zakonshme me urrejtjen. Urrejtja nuk ndryshonte ndjeshëm nga neveria për sa i përket intensitetit dhe kohëzgjatjes.

Qarku i urrejtjes në tru

Një studim i fundit skanoi subjekte normale njerëzore ndërsa ata shikonin fytyrën e një personi që e urrenin. Për krahasim, ata panë edhe fytyra të të njohurve për të cilët kishin ndjenja neutrale. Studimi zbuloi një model unik të aktivitetit në tru që është quajtur qarku i urrejtjes. Korteksi izolues, putameni dhe gyrusi ballor sipëror i majtë janë përbërësit kryesorë të qarkut të urrejtjes. Këto tre rajone të trurit treguan një lloj specifik aktivizimi kur individët shihnin fotografi të njerëzve që i urrejnë. Interesant ishte fakti se të njëjtat zona në tru aktivizoheshin gjithashtu kur njerëzit shihnin dikë që dikur e donin, por që kohët e fundit ai person i kishte refuzuar.

Studiuesit shpresojnë se këto studime një ditë mund të na ndihmojnë të kuptojmë rrënjët e konfliktit, si dhe mënyrat në të cilat konfliktet shkatërruese midis njerëzve dhe grupeve mund të reduktohen në mënyrë efektive./ Psychology Today