Dy anijet të Forcës Detare shqiptare i janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen zjarrit në tragetin e linjës Brindizi-Gumenicë të përfshirë nga flakët mbrëmjen e djeshme në det.

Kështu bëri me dije Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i cili shkruan në Facebook se Fillimisht zjarri ka rënë jashtë ujërave tona territorial, por tashmë operacioni po kryhet në ujërat tona territorial, 5 milje larg Porto Palermos.

Në operacionin që po drejtohet nga pala greke janë angazhuar edhe anijet e Forcës sonë Detare, Butrinti dhe ajo patrulluese R-117.

Lajmin e ka bërë me dije policia portuale greke, e cila ka kontaktuar rojet bregdetare italiane. Disa nga pasagjerët shprehen se flakët kanë nisur nga garazhet e tragetit, ndërsa disa të tjerë thonë se në garazhe ka pasur edhe shoferë kamionësh të cilët kanë qenë në gjumë.

Nga ana tjetër, banorë të ishullit të Korfuzit kanë treguar se fillimisht panë tymin që dilte nga anija në flakë e më pas kanë dëgjuar edhe shpërthime. Mediat greke bëjnë me dije se 3 helikopterë ndodhen në zonën detare, ndërsa po ashtu është edhe një anije tjetër.

Flakët janë vënë tashmë nën kontroll, teksa po hetohet për të mësuar shkaqet e rënies së zjarrit.