Me apo pa dashje, në dy ditë të aksionit kundër pallateve dhe shtesave pa leje, Qeveria ka nxjerrë në pah dy standardet e ligjit, duke sjellë edhe shembuj nga qytetarët e thjeshtë.

Belinda Balluku u shfaq nga kati i parë i pallatit pa leje të ndërtuar nga Lul Morina në zonën e Farkës dhe para kamerave e kërcënoi atë “duke i lënë tre mundësi”. E njëjta gjë ndodhi më pallatin e Pëllumb Salillarit, i konsideruar si oligarku i tenderave të rrugëve që iu bllokua një shtesë pa leje prej 1200 metra katrorë po në zonën e Farkës.

Për të denoncuar rastin e Salillarit nuk u shfaq Belinda Balluku, por ministri i Brendshëm Bledi Çuçi. Fytyra para kamerës ndryshoi, por jo përmbajtja. Ashtu si Balluku, edhe Çuçi i dha tre mundësi Salillarit: ose të blinte shtesën që kishte ndërtuar vetë pa leje, ose ta dhuronte, ose t’i konfiskohej.

Në të dyja rastet prangat e burgu nuk përmenden. As Lul Morina dhe as Salillari nuk do të bëjnë asnjë ditë në burg, ashtu siç bëri Bojken Laku për hapjen e një driteraje pa leje në një magazinë shtetërore, apo siç Sokol Nurellari në Kavajë që bëri disa muaj burg se po ndërtonte shtëpinë e re në të njëjtin truall.

Shfaqja plot ‘tam-tame’ para kamerave e Ballukut dhe Çuçit ngre dyshimet se më shumë se real, aksioni është propagandë, sepse në të kundërt shteti s’kishte pse u shkonte me kamera e tabure Lul Morinës e Pëllumb Salillarit, por kishte zbatuar ligjin ashtu si në rastin e Bojken Lakos e Sokol Nurellarit në Gërmenj të Kavajës.

Sot, as Morina dhe as Salillari nuk janë në burg dhe të lirë janë edhe zyrtarët lokalë të Policisë së Shtetit, apo IKMT-së që lejuan shkeljen, megjithëse Balluku foli për një hetim të thelluar për të kuptuar se si na u ngrit një pallat pa leje në Tiranë.

Është e paqartë nëse hetimi ka nisur e në çfarë faze është, por kur po mbushet java nuk ka asnjë prej punonjësve shtetërorë me kompetenca të mbrojtjes së territorit në Farkë pas hekurave, ndryshe nga ç’ndodh rëndom me kryepleqtë e fshatrave ku nuk denoncojnë raste të ngjashme.

Janë me dhjetra njoftimet e policisë për arrestimin që flasin për arrestim, apo procedim të kryepleqëve të fshatrave se nuk kanë ‘spiunuar’ ndërtimet pa leje në zonat që mbulojnë. Në Tiranë, një pallat pa leje dhe një tjetër me shtesë pa leje nuk kanë ende fajtorë për shkeljen e ligjit. Rastësi, apo dy standarde të shtetit?