Një ngjarje e rëndë është regjistruar dje në Lushnje duke përfunduar tragjikisht.

58-vjeçarja nga fshati Çinar ka ndërruar jetë në ambientet e Bashkisë së Lushnjes.

Ajo kishte shkuar në zyrat e bashkisë për të pyetur përse iu ishte hequr ndihma ekonomike.

Gruaja ka debatuar ashpër me punonjësit e kësaj zyre rreth faktit të heqjes së emrit nga lista e përkrahjes sociale dhe është nxjerrë me forcë nga kjo zyrë.

Më pas 58-vjeçarja ka kërkuar takim me kryetaren e Bashkisë, Eriselda Sefa dhe është ngjitur në katin e dytë për të takuar kryetaren.

Sapo ka kryer takimin ajo është ndier keq dhe është lajmëruar ambulanca e spitalit Lushnje. Pas mbërritjes së ambulancës, gruaja kishte ndërruar jetë në vend.

Pas kësaj ngjarjeje policia e Lushnjes ka referuar materialet në Prokurori, për të hetuar shkaqet e vdekjes së 58-vjeçares.