Shumë përdorues të Facebook-ut, papritur janë përballur me një rënie të madhe të numrit të ndjekësve të tyre, përfshirë edhe vetë CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg ku nga 119 milionë ndjekës, numri i ndjekësve të tij kishte rënë në 9 mijë e 994.

Lidhur me këtë çështje, deri më tani nuk ka pasur asnjë deklaratë nga Facebook dhe as nga Zuckerberg, por mediat kanë raportuar se “rënia e papritur e numrit të ndjekësve ka qenë për shkak të një gabimi në rrjet”.

Përveç Zuckerberg, me rënie të ndjekësve janë përballur edhe figura publike nga Shqipëria e Kosova, nisur me gazetarin Berat Buzhala, Adriatik Kelmendi e Blendi Fevziu. Secili nga emërat e lartëpërmendur ka pasur një numër të madh ndjekësish – mbi 100 mijë, e me gjasë mund të jenë tronditur, kur papritur kanë parë një rënie të madhe të numrit të ndjekësve të tyre.

Profili i Buzhalës


Në profilin e Buzhalës, nga 128 mijë e 141 ndjekës papritur numri kishte rënë në 9 mijë e 878.

Profili i Fevziut


I tronditur, mund të ketë mbetur edhe Blendi Fevziu, autor i emisionit “Opinion”, që për një moment u bë krejtësisht i panjohur në Facebook. Në krahasim me realitetin, e ku ai ka mbi 130 mijë ndjekës, z.Fevziu ra në pak mbi 9 mijë të tillë.

Profili i Kelmendit


Edhe drejtori i Klan Kosovës u zgjua në mëngjesin e së mërkurës me më pak ndjekës. Shumë më pak se që realisht ai ka. Nga mbi 100 mijë ndjekës, ai ra në 9 mijë të tillë.

Rënie e ndjekësve është vënë re edhe te profili i Parim Ollurit, i cili për pak kohë mbeti me vetëm 9 mijë e 900 ndjekës.

E njejta ka ndodhur me profilin e Rron Gjinovcit, i cili mbeti me vetëm 9 mijë e 870 ndjekës, nga mbi 40 mijë që ka.

Vjedhja e të dhënave të 1 milion përdoruesve të Facebook

Një ditë më parë, Meta kishte paralajmëruar përdoruesit e Facebook, për vjedhje të të dhënave. Kompania raportoi se disa aplikacione në Android dhe iOS i kanë keqpërdorur të dhënat duke përdorur kredencialet e hyrjes. Meta ka njoftuar se janë vjedhur kredencialet e rreth një milion përdoruesëve të Facebook.

Duke pasur parasysh sigurinë e përdoruesve të saj, Meta zbuloi 400 aplikacione në Google Play Store dhe Apple Store, duke vjedhur kredencialet e Facebook të përdoruesve që përdornin këto aplikacione, i kanë përdorur ato për qëllime të gabuara.

Mirëpo, sipas raportimeve një incident i tillë nuk ka ndodhur vetëm me facebook, pasi shumë përdorues kanë pasur ankesa të ngjashme edhe për platforma të mediave të tjera sociale, përfshirë Twitter.

Rusia dhe Meta

Përveç raportimeve të Meta-s për vjedhjen e kredencialeve, një ditë më parë edhe Rusia e përfshiu kompaninë në listën e organizatave terroriste. Duke pretenduar se aplikacionet e Meta-s kanë lejuar shpërndarje informacioni që diskreditojnë ushtrinë ruse, një gjykatë në Rusi mori vendim për ndalimin e saj.

Nuk dihet nëse këto zhvillime mund të kenë ndonjë lidhje me rënien e ndjekësve të përdoruesëve të Facebook, megjithatë tani duket se problemi është zgjidhur, ndërsa mund të presim ndonjë deklaratë nga vetë kompania për të sqaruar se çfarë kishte ndodhur.