E ndërsa pjesa më e madhe u larguan, një grup protestuesish vijojnë që të qëndrojnë në sheshin përpara Kryeministrisë. Në mesditë protestuesit u shprehën se do të qëndrojnë 24 orë, por darka i gjeti vetëm një “grusht”.
Rreth orës 18:30, pavarësisht se e lajmëruan se do të qëndrojnë 24 orë, policia ndërhyri për t’i shpërndarë për të liruar qarkullimin, por ka hasur në rezistencën e grupit të protestuesve.

“Ju jeni polici private e një individi, nuk jeni më policia e shtetit shqiptarë. S’ju vjen turp. Jeni kafshë, si s’ju vjen turp. Kështu e mbroni popullin ju” ishin fjalët e një protestuesi kundër policëve.

Avokati Adriatik Lapaj i bëri thirrje policisë që mos bëhen nëpunës të oligarkëve. “Ne nuk jemi armiq. I bëj thirrje drejtuesve të policisë së shteti të mos bëhen palë me oligarkët, mos bëhen nëpunës të oligarkëve, por të bëhen funksionarë të uniformës.

Ne nuk jemi duke penguar trafikun, të gjithë e dinë që ky segment ka rrugë alternative. Me stilin të mirë në mëngjes dhe ujqër në darkë nuk funksionon” tha ai. Protestuesit kërkojnë uljen e çmimeve të karburantit dhe ushqimeve.

Kërkesat e protestuesve

1. Heqje e taksës së qarkullimit dhe pezullim i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit.

2. Pezullim i TVSH për produktet bazë të shportës.

3. Zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes për fermerët.

4. Një paketë reale ndihme për pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike për tejkalimin e krizës.

5. Hetim dhe mbikqyrje e koncensioneve dhe operatorëve ekonomikë që ndikojnë arbitrarisht në çmimet në treg veçanërisht në sektorin e hidrokarbureve

Këto propozime, këto masa, mbështeten në tri shtylla kryesore:

Ulje e barrës fiskale dhe hetim – Mbikqyrje për mirëfunksionim të tregut – Mbështetje për biznesin dhe shtresat në nevojë.