Babëzia në Dibër, Rahim Spahiu bleu 8 500 litra (8.5 ton) qumësht për një grusht nxënësish në konvikt, shifrat e frikshme. Një dosje për SPAK
Është bërë rrugë tashmë që kryebashkiakët, drejtorët dhe ministrat të abuzojnë me tenderët duke bërë milionat. SPAK po bën një punë të lavdërueshme duke arrestuar “peshkaqenët” e korrupsionit në vend, por ka ende shumë për të bërë, megjithatë gjërat kanë filluar të ecin në drejtimin e duhur.
Deri më tani jemi mësuar të vjedhin në fonde të mëdha si rrugë, inceneratorë, kanalizime, ujësjellësa, etj., por babëzia nuk ka fund dhe abuzimi ka shkuar deri te buka e fëmijëve.
Gazeta Jonë ka siguruar një dosje mjaft kompromentuese mbi Bashkinë e Dibrës, e cila krahas tenderëve të tjerë me probleme të theksuara, sëfundmi është kapur me presh në duar me fondin për fëmijet e konviktit të qytetit.
Siç zbulohet në dokumentet e siguruara nga Gazeta Jonë, Bashkia Dibër ka shpallur një procedurë prokurimi me datë 14 nëntor 2023, në fund të vitit, për blerje bulmeti për konviktin e qytetit sipas bursave të fituara nga nxënësit.
Tenderi kishte një fond limit rreth 13 mijë euro me TVSH dhe synimi ishte blerja e një sasie bulmeti, si qumësht, djath dhe gjalp.
Gazeta mëson se në prokurimin që mban poshtë firmën e kryetarit Rahim Spahiu,Bashkia Dibër kërkon të blejë 1 kuintal gjalp, 2.5 kuintal djath dhe….mbani frymën … 8 500 litra qumësht!! E lexuat mirë!
Rahim Spahiu ka blerë me taksat e dibranëve 8 500 litra ose 8.5 ton qumësht!!
Tenderi i fituar kundrejt një oferte rreth 12 mijë euro nga subjekti Shemsi Ngota, por kjo ka pak rëndësi. Po ashtu, pak rëndësi ka edhe shuma, pasi trefishin e kësaj, Rahim Spahiu nuk e ka mbledhur dot vetëm nga taksa e tokës në Dibër (detaje që do t’i raportojmë më vonë krahas bëmave të tjera) por problemi qendron pikërisht te fakti se: ÇFARË DO TA BËJË BASHKIA DIBËR NJË SASI KAQ TË MADHE QUMËSHTI?! A PO E BLEN VËRTETË APO THJESHT PO QARKULLON FATURAT?!
Por ka edhe më! Tani skandali merr krahë.
Bashkia kërkon nga fituesi që këtë sasi qumështi ta ofrojë për 150 ditë.
Viti shkollor mbaron në qershor 2024, pra bashkë me festat dhe ditët pushim përllogaritet që nxënësit të rrinë rreth 135 ditë në konvikt.
Gazeta Jonë iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Dibër pas zbulimit të dosjes së frikshme ku na u tha zyrtarisht se në konvikt qendronin 55 nxënës.
Sipas një përllogaritje të thjesht rezulton se çdo nxënës, sikur të pijë tre vakte qumësht në konvikt, duhet të konsumojë çdo ditë 1.2 litra qumësht në ditë!!
Madje, kjo shifër del sikur për 140-150 ditë të mos mungojë asnjë nxënës në asnjë vakt.
Nëse dikush mungon, atëhere duhet që të tjerët të pijnë qumështin e tij.
ABUZIM MË TË MADH ME BUKËN E FEMIJËVE NUK KA!
Nëse kjo nuk është dosje për SPAK cila dosje do të jetë?!
Gazeta Jonë posedon të gjitha dokumentet e këtij tenderi dhe mund t’ja ofrojë të gjitha palëve të interesuara, të cilat mund të na kontaktojnë përmes kanaleve tona të komunikimit ose ti shkarkojnë KËTU.
Abuzimi me konviktin nuk mbaron këtu. Gazeta Jonë ka dëshmi dhe video.
Një tjetër skandal ka ndodhur me punësimet dhe personat që marrin rrogë te konvikti, për të cilën do të flasim në shkrimin vijues.
Procedura
Për ta bërë abuzimin sa më të lehtë, Bashkia Dibër ka zgjedhur që të aplikojë marrëveshjen kuadër për procedurën duke lidhur marrëveshje direkt me një operator.
OpenProcurementAlbania, një platformë e specializuar kundër vjedhjeve në tendera, e ka cilësuar këtë procedurë me “flamur të kuq” për shkak të mungesës së konkurrencës.
Zakonisht, marrëveshjet kuadër bëhen për shkaqe specifike, në situata jo të zakonshme, por shpesh bashkitë zgjedhin këtë procedurë për t’i dhënë tenderët personave të përzgjedhur.
Por, ky është problemi më i vogël, pasi PROBLEMI I MADH është se janë aq të babëzitur sa prekin edhe te buka e fëmijëve.
Buka e fëmijëve në nevojë është vija e kuqe e redaksisë sonë, të cilën Bashkia Dibër e kaloi!
/GazetaJonë
SHËNIM: Fotot janë për qëllime ilustrimi, për të shmangur keqpërdorimin e politikave të rrjeteve sociale mbi të drejtat e autorit nga persona pranë kryebashkiakut Rahim Spahiu.
INVESTIGIMI/ Rahim Spahiu bën gabimin e jetës, DOSJE e denjë për SPAK