Vazhdon të marrë vemendje në mediat italiane rasti i 4 të rinjve italianë që u larguan pa paguar darkën 80 euro nga një lokal në qytetin e Beratit.

Debatet u shtuan sidomos pasi kryeministrja Giorgia Meloni që qëndroi me pushime për 4 ditë në Vlorë dhe pasi u njoh me situatën gjatë bisedës me kryeministrin Rama, i kërkoi ambasadës italiane në Tiranë që të paguajë faturën e darkës së papaguar. Së fundmi ka reaguar edhe gazetari Tommaso Cerno, drejtor i së përditshmes L’identita.

“Gjest i bukur nga Meloni që pagoi llogarinë e grupit të hajdutëve italianë. Por nëse ambasada shqiptare do të dëmshpërblejë Italinë për vjedhjet e kryera në 20 vitet e fundit nga shtetasit shqiptarë, do të falimentonte”, thuhet në postimin e gazetarit Cerno, njëkohësisht ish senator i PD.

Postimi i tij ka shkaktuar reagime të menjëhershme, ku mes tyre që kanë replikuar është edhe kantautori Ermal Meta, i zhvendosur në Itali që në moshë të hershme dhe që është shpallur dy herë fitues i festivalit të sanremos.

I dashur Tommaso, me sa duket antenat e drejtuara nga Perëndimi, (drejtimi i vetëm i mundshëm) i kanë mësuar disa njerëz të jenë të pandershëm. Vendet e zakonshme shpesh maskohen, por sapo kalon një situatë dhe ngrysin vetullat regojnë veten për atë që janë. Që janë të vegjël. Dhe më vjen keq sepse mendoj se jeni një njeri shumë inteligjent’, shkruhet në reagimin e Ermal Metës.

Një tjetër reagim më i ashpër në postimin e Tommasso Cernos ka ardhur nga sipërmarrësja, gazetarja dhe aktivistja shqiptare që jeton në Itali, Anita Likmeta. Përmes një postimi në Tëitter Likmata thotë se erdhi në Itali nga Shqipëria kur ishte vetëm 11 vjec.

“Shqiptarët, e sidomos fëmijët kanë paguar një çmim të lartë për mënyrën sesi mediat italiane i kanë trajtuar. Për vite me radhë na keni bërë të ndihemi të pavlerë. Ishim pa shtetësi, si hije të tmerruara nga paragjykimi që përgatitej transmetohej çdo ditë në mediat”, thotë Likmeta. Duke vazhduar më tej ajo thotë se qeveria shqiptare nuk i detyrohet asgjë Italisë. “Nëse duhet të vazhdojmë këtë debat, p.sh duhet të ketë shpjegim për vdekjen e 103 shqiptarëve të dëshpëruar që u mbytën në kanalin e Otrantos dhe ende sot nuk kanë marrë drejtësi. Kryeministri Rama bëri shumë mirë që e la Melonin të shijonte antipastën e asaj urrejtjeje dhe paragjykimesh, viktima të së cilës kemi qenë ne shqiptarët në Itali dhe në botë”, përfundon Likmeta duke I bërë thirrje gazetarit që të informohet para se të shkruajë.