27 deputetë të Partisë Socialiste kanë firmosur një shkresë ku kërkojnë përjashtimin maksimal të kreut të PD-së Sali Berishës, pasi pretendojnë se ai ka kaluar çdo kufi etik me deklaratat e fundit të bërë publike, ku tha se posedon video me orgji.

Deputetja Anila Denaj ishte ajo e cila prezantoi këtë kërkesë dhe tha se Berisha duhet të nxjerrë provat ose të kërkojë falje.

Denaj u shpreh se kërkesa për përjashtimin e Berishës është depozituar në emër të grave deputete të Parlamentit që të merret për procedurë, në mënyrë që ky i fundit të përjashtohet për afatin maksimal të lejuar në këtë rast.

“Sali Berisha nuk shmang asnjë diskriminim, por ka marrë edhe statusin e atij që mund të nxjerrë çfarë të dojë nga goja. Ose të nxjerrë prova, ose të kërkojë falje publike ndaj subjekeve të dhunës së shfrenuar. Gjatë ushtrimit të mandatit, sanksionet e rregullores lidhen me shkeljen e veprimtarisë së Kuvendit. Kjo deklaratë është depozituar sot dhe e keni marrë sot e kërkojmë që të shqyrtohet menjëherë.” -tha Denaj.

Kjo kërkesë u prit me revoltë nga deputetët demokratë në sallë që filluan t’i bien tavolinave dhe bilbilave.