Katër punonjës të gardës së republikës janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre ka nisur një hetim disiplinor për mospërmbushje të detyrave gjatë shërbimit në Kuvend.

Pezullimi lidhet me incidentet e ndodhura në Kuvend gjatë seancës së të enjtes, ku tre deputetë të Partisë Demokratike ndezën tymuese në sallë si pjesë e aksionit të opozitës për të penguar punimet e seancës plenare.

Burime konfirmojnë se ndaj katër punonjësve të gardës ka nisur edhe një hetim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Ata po hetohen për mospërmbushje, apo neglizhencë të detyrave të caktuara për të mos lejuar mjete të dyshimta në ambientet e Kuvendit.

Në seancën e së enjtes, deputeti Saimir Korreshi ndezi disa tymuese, që shkaktuan mjegull në sallë. Nga pamjet filmike shihet se tymueset deputeti demokrat i nxjerr nga çantat e deputeteve Lindita Metaliaj dhe Elda Hotit.

Të tre deputetët u përjashtuan nga sekretariati i etikës për dhjetë ditë për këto incidente.