Ersi Nishani ka mbajtur një fjalim prekës në përkujtimoren e organizuar ditën e sotme me rastin e 56-vjetorit të lindjes së babait të tij të ndjerë, Bujar Nishani.

Ai u shpreh gjatë fjalës së tij se katër muajt e fundit kanë qenë shumë të vështirë ndërsa shtoi se i mungojnë mesazhet që ai i dërgonte çdo ditë në mëngjes dhe telefonatat çdo fundjavë.

“Babai im ishte një njeri që na mësoi shumë virtyte deri në minutat e fundit të jetës së tij. Ai përcolli te unë dhe Fiona dashurinë për familjen dhe mirënjohjen për miqtë. Kur njeriu përballet me vdekjen ai pasqyron ndjenjat më të sinqerta. Katër muajt e fundit kanë qenë shumë të vështira.

Më mungojnë mesazhet e tij të përditshme në mëngjes dhe telefonatat e tij në fundjavë kur jepja mendim për statuset e tij në Facebook. Katër muaj më parë unë humba njeriun me të cilin mund të ndaja çdo mendim pa doreza, Fiona humbi njeriun që i dhuronte dashurinë më të sinqertë.

Mamaja jonë humbi njeriun e jetës. Jam i sigurt që secili sonte në këtë sallë ka humbur diçka nga largimi i Bujar Nishanit. Vepra e tij e lënë në mes vazhdon te të gjithë ne. Ëndrrat e tij për një familje më demokratike vazhdojnë te të gjithë ne”, u shpreh ai.