Euro e ka nisur këtë javë me rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me lekun, duke zbritur për herë të parë poshtë kufirit të 112 lekëve dhe duke regjistruar një rekord të ri historik.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të hënën me 111.81 lekë.
Agjentët e tregut të këmbimit valutor shprehen se rënie e euros në nivele të paprecedentë është e lidhur me ofertën shumë të lartë të monedhës europiane, që mund të shpjegohet me disa faktorë.
Vlerësohet se të ardhurat nga turizmi hyrës kanë një tendencë të shtohen me hyrjen në tremujorin e dytë të vitit. Festat fetare të muajit prill gjithashtu mund të kenë sjellë një rritje të mëtejshme të prurjeve për shkak të kthimit të emigrantëve.
Një tjetër faktor që, sipas agjentëve të tregut, mund të ndikojë kursin e këmbimit është fushata për zgjedhjet lokale të muajit maj.
Në teori, do të ishte e pritshme që zgjedhjet të ndikonin më shumë në nënçmimin e monedhës vendase, si pasojë e ofertës nga rritja e shpenzimeve publike gjatë muajve para zgjedhjeve.
Por, në fakt, një efekt i tillë nuk po shihet, madje po ndodh e kundërta. Agjentët vlerësojnë se në periudhat para zgjedhjeve shoqërohen me flukse të shtuara të valutës së huaj dhe kryesisht të euros, ndaj mund të supozohet se edhe fushata po luan një rol të vetin në rritjen e prurjeve të euros dhe në zhvlerësimin e saj.