Peshqeshi ndaj Shefqet Kastratit cënon interesat e vendit. 62 mln euro të shkuara dëm në Portin e Durrësit, BE: Do monitorojmë lidhjen e Porto Romanos me rrjetin TENT
Bashkimi Europian me mekanizmat e tij të financimit kishte në proces investimi në Portin e Durrësit mbi 62 milionë euro, të cilat po shuhen nga zhvendosja e Portit të Durrësit në Porto Romano.
Në raportin vjetor për projektet në Ballkan me 2022, Komuniteti Europian i Transportit ka rritur shqetësimet për zhvendosjen e shërbimeve portuale dhe nëse ato do të lidhen me rrjetin kryesor europian të transportit ( TENT), që në Shqipëri përfaqësohet me Korridorin 8 dhe Korridorin 10.
Analiza e Komunitetit të Transportit tregon se, projekti në Portin e Durrësit (Rehabilitimi i Kalatave 1 dhe 2 në Terminalin Perëndimor të Portit të Durrësit) është financuar nga korniza e investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).
Investimi total i vlerësuar është 62.4 milionë euro, me një kontribut të BE-së prej 27.05 milionë euro, një kredi BERZH prej 25 milionë euro dhe një kontribut përfitues prej 9.3 milionë euro.
“Lidhur me perspektivën e ardhshme të Portit të Durrësit si dhe përputhshmërinë e saj TEN-T, duhet të merret parasysh plani i Qeverisë shqiptare do të zhvendosë portin ekzistues në Portin e Romanos. Zhvendosja dhe ndikimi i saj në pajtueshmërinë e TEN-T do të monitorohet nga afër në vitet në vijim” thuhet në deklaratën e Komunitetit të Transportit.
Nga pikëpamja e lidhjeve logjistike, Porto Romano është pjesërisht e lidhur me rrjetin rrugor, por nuk ka lidhje hekurudhore.
Lidhjet rrugore nuk janë në standardet e rrjetit TENT, ndërsa ato hekurudhore do të vazhdojnë të mbeten problem edhe për të paktën një dekadë, çka do të vazhdojë të penalizojë portin në konkurrencën rajonale.
Autoriteti Portual i Durrësit pritet të tenderojë këtë vit fazën e parë të punimeve për portin e ri të Porto Romanos.
Punimet në këtë fazë kanë kosto rreth 390 milionë euro dhe pritet të përfundojnë brenda vitit 2025, bëjnë me dije burimet nga Autoriteti Portual i Durrësit.
Faza e parë përfshin ndërtimin e terminalit të kontejnerëve, lidhjen me infrastrukturën rrugore, hekurudhore, rrjetin e kanalizimeve, energjisë elektrike dhe furnizimin me ujë.
Në këtë fazë do të ndërtohet gjithashtu një objekt detar, fushëveprimi i të cilit ende nuk është përcaktuar.
Në këtë fazë do të ndërtohen vendbregëzimet, ndërtesat e përbashkëta, ndërtesa e zyrave doganore dhe agjencive të tjera, porta kryesore e portit, objektet e sigurisë dhe mbrojtjes civile, zyrat e kapitenerisë së portit dhe kulla e kontrollit të VTS, nënstacione etj./Monitor/ Shefqet Kastratit Porto Romanos Shefqet Kastratit Porto Romanos