Teksa gara për zgjedhjet në Parlamentin europian kanë nisur, Pirro Dhima, i cili kandidon së bashku me kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri për një vend në PE ka bërë këtë të martë një deklaratë të fortë ku ka deklaruar se nuk është shqiptar. Po ashtu ai shton se për këtë është bullizuar gjatë gjithë kohës, por siç thotë ai nuk është ndjerë i shqetësuar pasi nuk ndihet si shqiptar. Më tej ai ka shtuar se ka miq nga Shqipëria dhe i respekton pasi është rritur dhe ka jetuar me ta.

Pirro Dhima: Poo, çdo ditë, çdo ditë. Nga mëngjesi në darkë më shajnë. Për shumë vite seri ndodh kjo gjë. Ende edhe sot disa trollë shkruajnë nga mëngjesi në darkë, më shajnë, më fyejnë. Më quajnë shqiptar. Unë nuk ndjehem shqiptar, s’jam ndjerë ndonjëherë shqiptar, nuk jam shqiptar. I respektoj shqiptarët, kam shokë, kam vëllezër shqiptarë. Jam rritur me ta. Flas çdo ditë me ta në telefon. Këtu në Greqi kemi shumë shqiptarë, njerëz të nderuar, familjarë që rrisin fëmijët e tyre me ndershmëri. Kanë mundur të bëjnë pasuri këtu, kanë hapur punët e tyre janë nikoqirë të nderuar. Janë punonjës të shkëlqyer. Unë dua të përmend fjalën e kryeministrit tonë (Mitsotakis) që tha në Derviçan në prani të kryeministrit shqiptar Rama: Minoriteti grek në Shqipëri, në Voriepir dhe emigrantët shqiptarë që kanë ardhur në Greqi duhet te jenë urë miqesie, zhvillimi dhe mirëqenie për të dy vendet.

Ish-peshëngritësi Pirro Dhima dikur ka bërë bujë me deklaratat për origjinën e tij. Në një intervistë të mëparshme shkaktoi reagime të shumta nga të dyja anët e kufirit. “Unë jam një grek i lindur në Shqipëri”,- ishte kjo përgjigja që Pirro Dhima i dha gazetares greke Elena Akrita, e cila e cilësonte me origjinë shqiptare. Fredi Beleri dhe Pirro Dhima janë zyrtarisht kandidatë të partisë Demokracia e Re për eurodeputetë në Parlamentin Europian, në zgjedhjet që priten të mbahen më 9 qershor.