Elida Cangonji, e njohur për rolin e Zanës në filmin e njohur shqiptar “Rrugë të bardha” ndërroi jetë në 2016 si pasojë e një sëmundje të rëndë.
Por një rrëfim i saj, i kohës kur ka qenë në postin e Drjtoreshës së Shtëpisë së Fëmijëve me të meta mendore dhe ka pushuar nga puna punonjësen që nuk dinte të qeshte do mbetet gjithmonë në kujtesë.
Rrëfimi i plotë:
15 mars 1991. Duke lënë të çuditur shumë të njohur e të afërm, unë e pranova propozimin për t’u bërë drejtoreshë e Shtëpisë së Fëmijëve me të meta mendore, siç quhej atëherë. Mes dy shefave të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës (sot Bashkia e Tiranës), futemi në oborrin e institucionit ku do të më prezantonin me personelin. Në dritaren e parë të katit të dytë del një fëmijë dhe duke u përkulur më poshtë brezit, bërtet: mamiiii, erdhi mamii!!
O Zot! Edhe tani rrëqethem. Fëmija priste të ëmën dhe në institucion shkoja unë, drejtoresha e re! Kishte shumë pak fëmijë jetimë në atë institucion, të tjerët e kishin familjen, por nga mënyra se si ishte organizuar familjarët i shikonin shumë rrallë. I kisha idetë e qarta se nga do t’ia nisja e ku do dilja me atë institucion të tipit “burg”, ku edhe personeli ishte në një numër jo të vogël me “njerëz që partia po i riedukonte”. Nuk desha të paragjykoj asnjërën nga 42 gratë dhe një burrë që kishin të punësuar aty, desha të krijoj mendimin tim për secilën. E them këtë sepse pashë dhe ndjeva ankthin e të gjithave; kë do pushojë kjo nga puna?! Ua bëra të qartë; do i jepnim njëra¬tjetrës kohën dhe mundësinë për t’u njohur e për të njohur atë që duhet bërë dhe si duhet bërë me këta fëmijë. Ashtu bëmë. Dy vitet e para ishin shumë të vështira për të gjithë, por që çdo ditë bënim nga një hap përpara për të përmirësuar kushtet e jetesës për fëmijët dhe kushtet e punës për personelin. Erdhi demokracia dhe thanë se do depolitizonin institucionet… Çfarë gëzimi që ndjeva! Më besoni, pasi jo rrallë më ishte dashur të ndaja gratë e personelit në «komuniste» dhe «demokrate». Institucioni në atë kohë ishte ende pjesë e strukturave të shëndetit të rajonit nr 1, pra e gjithë pjesa administrative ishte atje. Për fat të mirë, ishin njerëz që vërtet më mbështesnin, që nga drejtori e zv.drejtori e deri te furnitorët e thjeshtë. Punoja 16 orë në ditë dhe natën përjetoja problemet e punës.
Tranzicionet politike i shikoja në favor të punës dhe nuk lija rast pa përfituar diçka për punën. Veten e kisha harruar, më mirë të them, vetja ishte bërë puna! Të dal në temë: më duhej të ristrukturoja mënyrën e funksionimit të institucionit nga një strukturë e mbyllur dhe e ngurtësuar e modelit rus që kishte në bazë punën me paaftësinë, në modelin europian, që do të thoshte evidentimin e mundësive dhe kapaciteteve të njeriut për t’i përdorur ato në reduktimin e paaftësive. Kjo do donte dhe një ristrukturim të personelit, në sensin që, tashmë nuk do ishin vetëm baresha, por duhet të shikonin e të besonin fëmijën si një qenie fillimisht me mundësi e aftësi, mbi të cilat do bazohej puna për të reduktuar paaftësitë që paraqisnin. Në dy vite i kisha njohur të gjitha, i kisha dëgjuar të gjitha, e njihja mentalitetin dhe opinionin e të gjithave për fëmijët me probleme, njihja arsimimin e secilës, historinë se si kishin ardhur për të punuar aty etj. Isha gati (edhe ato ishin gati) të bëja ndryshimet; duhej të linin punën, në mos gaboj, 13 prej tyre. Ishin vetëm pesë që m’u kundërvunë, duke më pyetur pse po i hiqja. I thashë secilës arsyet që kisha menduar, opinionin tim në lidhje me përputhshmërinë e asaj që ato dinin të bë¬ nin dhe asaj që duhej në atë institucion që nga ajo ditë e tutje! Njëra, që për hir të së vërtetës kishte dhe arsimin e mesëm pedagogjik, insistonte duke u kapur fort pas kësaj që ishte plus për të. Ajo ishte një grua e madhe me trup, me flokë që i lyente të zeza pis, me veshje gjithnjë të errëta, grua e ngrysur, nuk qeshte kurrë. Fëmijëve u shërbente, por ata e kishin frikë. Ajo grua të ngjallte frikë e trishtim. Në dy vite, më besoni që nuk e pashë asnjëherë të gëzuar, të buzëqeshur dhe nuk ishin të pakta rastet kur ne kishim arsye të ishim të gëzuara. Thjesht i mungon aftësia për t’u gëzuar, ndoshta një dëmtim i hershëm. Por fëmijët nuk janë aty që të përjetojnë problematikat e personalitetit të personelit që punon me ta, përkundrazi, të përfitojnë nga më e mira që personeli disponon! Pra, i thashë që do largohesh se nuk di të qeshësh! Pesë ditë e pesë net ajo dhe dy¬tre të tjera e gdhinin dhe e ngrysnin te dera e Ministrisë së Shëndetësisë dhe aty u kthye në barsoletë që Lida po heq njerëzit nga puna se nuk dinë të qeshin! Ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, mjek e koleg që më njihte dhe e njihja, i priti dhe i dëgjoi. Mendova të shkoj edhe unë të jap shpjegimet e mia në kontekstin e të gjitha ndryshimeve që po bëja por nuk më priti! Ai kish thirrur drejtorin dhe zv.drejtorin, të cilëve u pati thënë se nëse nuk i merrja përsëri në punë këto gra, do pushohesha unë! Erdhën të dy të tronditur, nuk e kishin të thjeshtë. Nga institucionet që kishin në varësi, vetëm ky që drejtoja unë po lëvizte me hapa shumë të mirë dhe premtues. Si mund të pushonin një drejtoreshë që punonte dhe që puna i dukej?! Nga ana tjetër si të pushoheshin vetë nga puna?! Këtu nuk mbante ujë pilafi! I dorëzova çelësat dhe u thashë të mos mërziten sepse unë jam mjeke psikiatre për fëmijë, dy¬tre ishim ne atëherë, unë nuk do ngelesha kurrë pa punë!
Ata ishin aq të mirë sa që kishin ardhur edhe me një strategji që anashkalonte ministrin. Unë të vazhdoja punën dhe reformat, dhe «të revoltuarat» të gjenin veten në një punë tjetër. Edhe sot e kësaj dite them se simbolika dhe rëndësia e «di të qesh» apo «nuk di të qesh», nuk e besoj se ishte e vështirë për t’u kuptuar nga ministri i asaj kohe, madje ngaqë e kuptonte nuk më priti në takim. Sa e rëndësishme do ishte që një ministër të thoshte po, është e rëndësishme për të gjithë ata që punojnë me fëmijë, pa dallim, duhet ta kenë të qeshurën ndjesi organike, që iu del nga shpirti. Nëse do kishim vazhduar me këtë frymë të zgjidhnim drejtuesit e punonjësit e këtyre institucioneve, sot nuk do arrinim në këto nivele ku vetëm për buzëqeshje nuk flitet. Më duket vetja naive! Më vjen shumë keq me këtë qe ngjau në Shkodër. I kam njohur mirë ato institucione, e kam parë me sytë e mi dhunën që një edukatore ushtroi ndaj një fëmije dhe shpresoj se ajo e mban mend edhe sot mësimin që i dhashë, por është e dhimbshme të shohësh se dhe pas kaq vitesh ndodh e njëjta skenë! Unë jam akuzuar gjithnjë që eci shumë shpejt në punën që bëj. Tani jam në pension, nuk bezdis më asnjë ministër apo zv. ministër, nuk bezdis me as organizatat ndërkombëtare me kritikat e mia, me idetë e mia, me energjitë e mia, me shembullin e punës time, ama kjo nuk më pengon të jem njësoj e revoltuar, me ministra pas ministrash, parti që shkojnë e vijnë, organizata ndërkombëtare që janë bërë ndonjëherë pjesë e lojës dhe e korrupsionit, me njerëz e funksionarë që përvetësojnë para e mundësi, me ato media që më shumë mendojnë si të mbushin kohën dhe jo si t’i shkojnë problemit në palcë. Po, kjo është revolta ime… Një gjë kam merak t’u them: në çdo kohë, dikur, tani e në të ardhmen, një buzëqeshje është gjithnjë një mesazh mundësish!