Kryeministri, Edi Rama, ka njoftuar ndryshimin e strukturës së kabinetit të tij qeveritar, me formimin e një ministrie të re.

Duke theksuar nevojën për një fazë të re të zhvillimit strategjik, Rama bën me dije krijimin e ministrisë së re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me ministër Blendi Gonxhen.

Reagimi i Edi Ramës:

Lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial; kur kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër; kur vetë sektori i ekonomisë në tërësi kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes.