Edi Rama e nisi fushatën duke porositur socialistët të mos shpenzojnë për postera e reklama në fushatë por paratë t’i çojnë në mbjellje pemësh.
Një javë më pas rrugët kryesore të vendit janë të mbushura me këtë fotografi të ndarë në mes, ku portretet e Sali Berishës dhe Ilir Metës quhen si kthim mbrapa.
Ky poster u denoncua pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si denigrues nga ana e përfaqësuesit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
“Koalicioni po sillet në mënyrë shumë të ndershme. Nga data 15 ka filluar një ushtri e gjithë reklamimi në çdo hapësirë publike jo publike të bashkive, me një gjuhë fyeses, denigruese, seksiste, të zotit kryeministër të këtij vendi”, tha Altin Kaziaj, përfaqësues i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Ashtu si pjesa më e madhe e shqiptarëve, edhe Ilirjan Celibashi ishte njohur me këtë fotografi për të cilën njoftoi se në ditët në vijon do të bëhet shqyrtimi i denoncimit.
“Ne kemi vendosur të hapim procedurën e administrative të shqyrtimit të denoncimeve të paraqitura nga ana juaj, por edhe të disa organizatave të shoqërisë civile se si nga pikëpamja vizuale në rrugët e qyteteve po e prezantojnë fushatën elektorale PS-ja, por edhe subjektet e tjera”, tha ai.
Opozita ndërkohë nuk ka pritur duarkryq. Posteri i socialistëve është sjellë i modifikuar në një version tjetër, ku shfaqen si “kthim mbrapa” disa ish-bashkëpunëtorë të Ramës që kanë përfunduar pas hekurave, ndërsa të tjerë janë në grupin “për para”./a2