Një nga njerëzit më besnikë të Putinit, kreu i Gardës Kombëtare Viktor Zolotov, ka pranuar se “operacioni ushtarak” rus në Ukrainë nuk po përparon aq shpejt sa dëshironte Kremlini. Duke folur gjatë shërbesës së të dielës të Patriarkut Kirill, Viktor Zolotov ia atribuoi zhvillimin e ngadalshëm të operacioneve ruse veprimeve të “forcave të ekstremit të djathtë ukrainas” që “fshihen” pas civilëve, duke përsëritur akuzën e zakonshme. Vërejtjet e tij kundërshtojnë një vlerësim të bërë nga ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu të premten, i cili e siguroi Putinin se “gjithçka po shkon sipas planit”.

“Dua të them po, jo gjithçka po shkon aq shpejt sa do të donim” tha Zolotov, dikur shefi i sigurisë personale të Putinit. Deklaratat e tij janë postuar në faqen zyrtare të Gardës Kombëtare. “Por ne po shkojmë drejt qëllimit tonë hap pas hapi dhe fitorja do të jetë e jona dhe kjo ikonë (duke iu referuar qartë një ikone të kishës) do të mbrojë ushtrinë ruse dhe do të përshpejtojë fitoren tonë” tha ai.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë thonë se pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin, një ofensivë ekspansioniste imperialiste, është konceptuar keq dhe është ekzekutuar keq, sepse Moska ka nënvlerësuar rezistencën ukrainase dhe vendosmërinë e Perëndimit për të ndëshkuar Rusinë. Viktor Zolotov është një nga zyrtarët më të fuqishëm në Moskë. Garda Kombëtare, një trupë ushtarake e represionit të brendshëm, përfshin forca speciale të policisë dhe forca të tjera represive.