“Tërmet” në Tiranë, SPAK heton tenderët në ushtri , arratiset biznesmeni i njohur
Qeveria shtyu për të tretën herë ligjin për investimet strategjike, gjë që tregon se kanë mbetur ende njerëz pranë maxhorancës dhe oligarkëve pa marrë llokma nga pronat publike për dy lekë, përmes të cilave pastrojnë para por edhe bëjnë “lek të madh”.
Por, duket se ky vit do të jetë shumë i vështirë për ata që kanë futur duart te fondet dhe pronat publike. Siç raportohet në media, SPAK ka avancuar hetimet në Ministrinë e Mbrojtjes pas sekuestrimit të dhjetëra celularëve gjatë verës së këtij viti.
Sëfundmi ka dalë në pah një skandal tjetër përmes këtyre celularëve ku rezulton se një ushtarak i lartë që firmos tendera dhe dhënien e pronave të ushtrisë te oligarkët, ka bërë seks në zyrën e punës.
Materialet sipas raportimeve në media janë gjetur në celuarin e tij, ndërkohë thagma të tjera kanë dalë në pah në lidhje me tenderat për armët.
Mësohet se hetimet për tenderat e armëve kanë zbuluar abuzime të frikshme dhe klientelizëm ku janë vetëm dy kompani ato që kanë fituar thuajse të gjitha tenderat për armët, gjë që në radhë të parë përbën shkelje të konkurrencës.
Ndërkohë pritet që SPAK të zbërthejë lidhjet mes pronarëve të kompanive që kanë fituar këto tenderë dhe zyrtarëve të caktuar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe më gjerë.
Ndërkohë, siç mëson gazeta, të paktën njëri prej pronarëve të kompanive që kanë marrë tenderat e armëve, po rri jashtë Shqipërisë këto kohë, i frikësuar nga ndonjë arrestim i SPAK pas avancimit të hetimeve për armatimin që përdor ushtria. Burime bëjnë me dije se ai ka dalë nga vendi disa javë më parë.
Ka qenë pikërisht kjo frikë nga prokurorët e SPAK që janë kthyer në heronj të shqiptarëve të ndershëm dhe nevoja për të rishikuar “pazaret” që çoi në anulimin e tenderit të armëve dhe pajisjeve për Policinë e Shtetit në gusht. Gjithçka ndodhi pasi SPAK kishte mësyrë në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe pasi u ndërrua ministri i Brendshëm.
Gazeta Jonë ka konsultuar një dosje si edhe të dhënat nga Thesari i Shtetit duke nxjerrë me FAKTE edhe emrat e kompanive dhe dy biznesmenëve që kanë përfituar miliarda nga arka e shtetit përmes pehlivanllëqeve të ndryshme, edhe këto të faktuara.
Gazeta Jonë ka punuar me materialet që nga korriku 2023 dhe do të nise publikimin e një serie shkrimesh investigative mbi tenderët në ushtri, klientelizmin, shkaqet që çuan në anulimin e tenderit të armëve dhe pajisjeve të policisë si edhe pronave të ushtrisë duke publikuar dokumente autentike.
Arratisja jashtë vendit është një praktikë e njohur e biznesmenëve të hetuar nga SPAK gjatë muajve të fundit, të cilët i tremben zbulimit të aferave. Shumë syresh nuk kthehen në vend prej kohësh duke i drejtuar bizneset e tyre nga jashtë ose po i transferojnë ato përtej kufirit. /Gazeta Jonë