Dhurata, e cila prej një viti është pjesë e publikut të programit “E diela shqiptare” në Tv Klan, ka rrëfyer historinë e jetës së saj të vështirë në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Babai i saj, një ish i burgosur për 30 vite për një vrasje, u dashurua me nënën e vajzës, e cila asokohe ishte 24 vjeç dhe vuante nga depresioni.
Kur erdhi në jetë Dhurata, prindërit nuk kishin mundësi ta mbanin dhe e lanë në maternitet vajzën e tyre të vetme dhe fëmijën e tyre të parë. Dy vite më vonë, lindi vëllai i vogël i Dhuratës, i cili po njësoj si e motra, ndenji në spital e më pas u dërgua në jetimore. Kur kujton kohët në jetimore, Dhurata nis të dridhet e të lotojë.
Ardit Gjebrea: Si ishte jeta jote aty, ma trego pak?
Dhurata: Me kujdestaren e parë që kam pasur, nuk ka qenë e mirë.
Ardit Gjebrea: Pse?
Dhurata: Kam pasur dhunë. Kam fjetur në tualet.
Ardit Gjebrea: Po pse nuk tregoje?
Dhurata: Po se na rrihte. Edhe kur kam lajmëruar drejtorin nja dy herë, kisha frikë t’i tregoja sepse kur ikte drejtori, vazhdonte avazin.
Ardit Gjebrea: Po mami me babin vinin të të shikonin ndonjëherë?
Dhurata: Vinin më shikonin, por ka pasur raste që nuk i dilja.
Ardit Gjebrea: Pse?
Dhurata: Po se s’i doja.
Dhuna nga kujdestarja vazhdoi nga klasa e parë deri në të katërtën për Dhuratën, por gjithçka ndryshoi gjatë pushimeve verore dhe për të ishte dita më e lumtur.
Dhurata: Ishim në shkollën e Marinës, bënim plazh dhe u ankuam te dy drejtorët e institucionit dhe ishte moment më i bukur i jetës time kur e larguan. Në atë moment ka qenë edhe një kujdestare që erdhi pasi u largua kujdestarja e parë, që e kam ftuar sot.
Ardit Gjebrea: Kë ke ftuar, të parën apo të dytën?
Dhurata: Të dytën.
Ardit Gjebrea: Pse nuk ftove të parën?
Dhurata: Se s’dua ta shoh me sy