Autoritetet ukrainase thonë se nivelet e rrezatimit janë rritur në zonën e Çernobilit, që prej se kjo uzinë bërthamore është marrë nën kontroll nga trupat pushtuese ruse.

Ekspertët në Agjencinë Bërthamore të Ukrainës thanë se nivelet e rrezatimit kanë ndryshuar për shkak të lëvizjes së pajisjeve të rënda ushtarake në atë zonë, duke ngritur në ajër pluhurin radioaktiv.

Uzina e Çernobilit, që është jashtë funksionit, më 24 shkurt u mor nën kontroll nga forcat ruse, pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Në një deklaratë të lëshuar më herët më 25 shkurt, Agjencia Bërthamore e Ukrainës tha se të dhënat nga sistemi i automatizuar i monitorimit në zonën e ndaluar përreth uzinës, treguan se vihej re një tejkalim i niveleve të rrezatimit.

Por, kjo agjenci tha se është e pamundur të dihen arsyet e këtij ndryshimi, për shkak të pushtimit dhe luftës në këtë zonë.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB), organ i Kombeve të Bashkuara, tha se nivelet e rrezatimit nuk paraqesin ndonjë rrezik.

ANEB tha përmes një deklarate se nga leximet e autoritetit rregullator të Ukrainës janë të ulëta dhe mbesin brenda intervalit operacional të matur në zonën e ndaluar, që prej se kjo zonë u krijua, dhe për këtë arsye nuk paraqesin ndonjë rrezik për qytetarët.

Sipas ANEB, ekspertët ukrainas kanë thënë se raportimet për rritjen e nivelit të rrezatimit “mund të jenë shkaktuar pas lëvizjeve të makinave të rënda ushtarake që kanë ngritur pluhurin nga toka, e cila ende është e kontaminuar nga aksidenti i vitit 1986.

Pas lajmit se uzina bërthamore e Çernobilit u mor nën kontroll nga trupat ruse, ANEB bëri thirrje që të shmangen veprimet që mund të vënë në rrezik ndërtesat bërthamore ukrainase.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka konfirmuar se kanë marrë nën kontroll Çernobolin, por ka thënë se nivelet e rrezatimit ishin normale në uzinën bërthamore.

Shpërthimi në një prej reaktorëve të këtij centrali bërthamor më 1986, kontaminoi pjesë të mëdha të Ukrainës dhe Bjellorusisë, që çoi në krijimin e një zone të ndaluar, që është rreth 2,600 kilometra katrorë.

Kjo uzinë, që ende është radioaktive, gjendet rreth 130 kilometra larg Kievit.