Avokati i një prej të pandehurve në çështjen “Shqiponja e Zezë” pranoi para Gjykatës Penale të Brukselit fajin e klientit të tij. Por vetëm për menaxhimin dhe marrjen me qera të garazhdit dhe mjeteve që përdoreshin për trafikun e drogës.
“Hetimi nuk tregon në asnjë moment që telefoni i klientit tim ka qenë pranë një prej laboratorëve ku bëhej paketimi i kokainës. Klienti im jeton në Belgjikë dhe ka marrë para vetëm për të menaxhuar marrjen me qira të garazheve dhe automjeteve. Aty mbaron edhe roli i tij. Ai nuk mori pjesë në nxjerrjen, paketimin dhe shitjen e drogës. E po ashtu, as nuk ka marrë pjesë në pengmarrjen e një drejtuesi mjeti të rëndë në Berlare,”-tha avokati i tij, sipas mediave të huaja.
Por i pandehuri ka precedent të tjerë penal, ndaj më 18 prill prokurori kërkoi dënimin e tij me 10 vite heqje lirie. Por dje, avokati i shqiptarit të paidentifikuar me emër, kërkoi dënim me kusht, me 5 vite burg.
Në këtë proces gjyqësor 40 persona akuzohen për pjesëmarrje në një organizatë kriminale aktive në trafikun e drogës. Hetimi, me emrin e koduar Black Eagle, nisi në shtator 2020 kur Policia zbuloi kanabis, aceton, por edhe një fuçi lëngu në të cilin ishte ekuivalenti i 600 kilogramëve kokainë, e cila ishte “holluar”. Grup mendohet se drejtohej nga Bashkim Osmani nga Kosova, Artur Shehu dhe Arben I., identiteti i plotë i të cilit nuk dihet. Të lartpërmendurit konsiderohen ndër ‘lojtarët’ më të mëdhenj shqiptarë në tregun e kokainës. Nga mesazhet e tyrr janë zbuluar edhe lidhje me zyrtarë në Shqipëri, por detaje të tjera pritet të zbulohen në seancat në vijim.