Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kryer një kontroll në komisariatin nr. 3 në Tiranë duke gjetur disa shkelje në rastin e vdekjes së të riut Lear Kurti 32-vjeç një natë më parë.
Por përse u shoqërua? “Policia i ka dhënë Komitetit të Helsinkit këtë shpjegim. “Është evidentuar një qytetar (është fjala për Lear Kurtin) i cili i është shmangur patrullës së Policisë, duke kryer veprime të dyshimta. Për këtë ai është pyetur nga policët e patrullës nëse është banor i lagjes dhe nëse kishte dokumente identifikimi, por përgjigjet e tij kanë qenë negative.
Në ndjekje, patrulla 1) i ka kërkuar sallës operative, përforcime, të ardhura nëpërmjet patrullës nr. 2), në orën 23:13. Prej momentit të ndalimit, pasi është kapur në ndjekje, në orën 23:27 patrulla 2) ka njoftuar sallën operative mbi shoqërimin e këtij shtetasi në ambientet e Komisariatit, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë. Pas 7 minutave, në orën 23:34, patrulla 1) i ka kërkuar sallës operative ambulancë pranë Alpinit, pasi personi i shoqëruar ka deklaruar që nuk ndihet mirë” thuhet në njoftim.
Së pari, në njoftim thuhet se punonjësit e policisë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin sepse nuk mund të bëhet shoqërimi i një personi duke u mbështetur vetëm në dyshime.
Shkelja e dytë. Në komisariat nuk ka asnjë regjistrim për hyrjen e tij pas shoqërimit. “Rezultoi i munguar dokumentimi i të dhënave dhe gjeneraliteteve për kohën hyrjes dhe qëndrimit të tij në komisariat, cilësinë dhe shkaqet ligjore të kufizimit të tij të lirisë.
Sipas përfaqësuesve të Komisariatit, mos regjistrimi ka ardhur si pasojë e gjendjes jo të mirë të personit “të shoqëruar”. Argumenti kundërshtohet nga Komiteti.
Shkelja e tretë. Nisur nga gjendja jo e mirë shëndetësore, Komiteti i Helsinkit thotë se i riu duhej transportuar menjëherë dhe në mënyrë urgjente në spital, dhe jo ta çonin në ambientet e komisariatit.