Gazetari investigativ, Artan Hoxha ka publikuar sot një foto me mjeshtrin izraelit të përgjimeve, që qëndroi për rreth 3-4 vite në Shqipëri dhe që sipas tij u përdor për të përgjuar “oligarkët” dhe politikanët.

Hoxha thotë se ka dëgjuar se specialisti Yoram Frig ka ardhur sërish në Tiranë, por këtë herë pa atë valixhen e IMSI-Catcher Detector.

Me anë të një statusi në rrjete sociale, ai ngre dyshimet e forta se Frig mund të kontaktohet sërish nga politikanët për çështjen e sulmeve kibernetike nga Irani.

“E mbani mend këtë tipin???!!

Është ai specialisti izraelit i përgjimeve, Yoram Frig, që para 5 vitesh, me atë valixhen e IMSI-Catcher në dorë, u kalli datën gjithë politikanëve të rëndësishëm dhe “oligarkëve” në këtë vend!!!
Në atë kohë, këta hakerat, që na çudisin çdo ditë të hënë, me të rejat e fundit nga serverat e shpartalluar të shtetit digital të Shqipërisë, i kishim parë vetëm nëpër filma.
Specialisti izraelit i përgjimeve, u soll rreth e qark Shqipërisë, për 3-4 vite. Një dreq e mori vesh çfarë bëri?! Çfarë degjoi, çfarë rregjistroi, kujt ja dorëzoi?!
E sigurt është, se mblodhi një dorë të mirë parash nga pushtetarët, politikanët e korruptuar dhe biznesmenët më të rëndësishëm në Shqipëri, për të përgjuar, herë njërën palë dhe herë palën tjetër.

Yorami, thjesht bënte detyrën dhe i qëndronte strikt kontraktuesit, herë duke vendosur “çimka” dhe pajisje moderne përgjimi, herë duke i çaktivizuar ato.
Kur i doli tymi kësaj pune dhe emri izraelitit të frikshëm, nisi të përflitej zyrave apo lokaleve të ish-bllokut, po ata që e kishin kontraktuar, vendosën ta dekonspironin, duke e ndaluar me gjithë valixhen misterioze në Rinas…
“Të paudhët”, thonë se e kanë parë të sillet sërish nëpër Tiranë, por këtë radhë pa valixhen çudibërëse…
A thua ta kenë kontraktuar prapë, ata, të sikletosurit atje lartë, sepse i ka zënë sërish tartakuti?!
Kur nuk mban në duar, atë valixhen e IMSI-Catcher Detector, çfarë dreq pajisje ka sjellë këtë radhë ai “shejtan”?!

Se nuk besoj të këtë ardhur për ata dronët Bayraktar, që do na jap Erdogani, apo për ata dy satelitët, që do sillen rrotull globit për llogari të qeverisë Shqiptare?!
Ore, pyeteni se mos na bën derman, për këtë punën e hakerave iranianë, se na morën erzin.
Vetëm këta izraelitët, ua dinë marifetet, atyre “qafirave” të Ajatollahut”, shkruan gazetari.