Vrasja e Ardian Nikulaj në Lezhë u organizua nga një skuadër që mendoi çdo detaj deri në realizmin e qëllimit final. Në dosjen e Prokurorisë janë të specifikuara dhe rolet e secilit prej britanikëve në ngjarje.

Sipas hetimit, më datën 3 Prill në orën 22:35 nga Londra në Tiranë kanë mbërritur Harriet Bridgeman dhe Thomas Mithan. Kamerat e sigurisë në Rinas kanë fiksuar një automjet që ka karakteristika të njëjta me automjetin e marrë me qira nga Edmond Haxhia, tip Golf 5,  i cili i ka marrë dy britanikët pranë lokal “Turi” në Rinas, vend i cili është i njëjtë me atë ku u mor edhe portugezi Ruben Saravia më 14 Shkurt. Dy britanikët pas Rinasit janë zhvendosur në Shëngjin nga ku janë akomoduar në hotel “Leon” në pronësi të vëllait të Ardian Nikulaj, Arbenit.

Kamerat e sigurisë së hotelit kanë mundur të fiksojnë hyrje dhe daljet e britanikëve. Sipas hetuesve, në datë 5 Prill në dhomën e tyre në hotel Leon shkon anglezi tjetër Steven Paul Hunt. Ata qëndrojnë për 3 orë së bashku. Atë pasdite, Thomas Mithan largohet nga Shqipëria nëpërmjet Rinasit duke qëndruar në vendin tonë vetëm për 2 ditë. Në fashikujt e Prokurorisë që Klan Neës lexoi, Steven Paul Hunt qëndroi në Shëngjin me 28-vjeçaren britanike Harriet Bridgeman duke u kamufluar si një çift turistësh. Më 6 Prill të dy i janë drejtuar lokalit Coral në pronësi të Ardian Nikulaj. Kamerat e lokalit kanë fiksuar hyrjen e tyre në orën 11:30 minuta. Ata janë paraqitur si klientë duke konsumuar pije. Kamerat i kanë fiksur teksa hyjnë dhe dalin nga lokali disa herë me aparate celulari në dorë. Me sjelljen prej turisti ata kanë mundur të filmojnë brenda dhe jashtë lokalin teksa në brendësi të tij ka qenë edhe objektivi i tyre Ardian Nikulaj. Qëndrimi i tyre në lokal ka zgjatur deri rreth orës 14:30 dhe më pas janë larguar. Të dy të shtirur si çift turistësh janë larguar më 7 Prill me avion për në Athinë. Sipas hetimeve, këta 3 persona ishin kontraktuar të kryenin krimin por pas qëndrimit për disa ditë në zonën, kushtet dhe rrethanat e diktuara i detyruan të tërhiqen nga ekzekutimi mafioz.

4 ditë pas largimit të 3 britanikëve nga Shëngjini në rol hyn një tjetër britanik me 27 precedentë penalë për drogë dhe vjedhje në vendin e tij. Ai ka marrë përsipër të jetë furnizuesi me informacion i portugezit për 8 ditë. Harry James Simpson ndjek të njëjtin itinerar. Në 11 Prill pranë lokal “Turi” në orën 00.56 hipën në Volsvagen që dyshohet se është e organizatorit të vrasjes dhe zhvendoset për në Lezhë. Në orët e para të mëngjesit shihet në shetitoren e Shëngjinit dhe në orën 3:09 shkon te hotel Rafaelo për një natë. Ndërsa në datën 12 Prill ai është zhvendosur në hotel Besa ku qëndroi deri ditën e vrasjes së Nikualajt. Ndërsa organizatori i vrasjes Edmond Haxhia ka hyrë në Shqipëri në 24 Nëntor e ka dale në 20 Prill nga Rinasi, një ditë pas vrasjes./KlanNews