Ish-futbollisti i Kombëtares Klodian Duro ka qenë kryefjalë e mediave në javën që lamë pas, dhe kjo jo për shkak të hyrjes së tij në Big Brother, por për shkak të deklaratave tronditëse që e skualifikuan në mënyrë të mënjëhershme nga loja. Teksa gjendej nën efektin e alkoolit pas darkës së shtruar në përfundim të spektaklit, Duro pranoi hapur se kishte dhunuar ish-bashkëshorten dhe madje me tone kërcënuese edhe pse duke qeshur, paralajmëroi banorët që të kishin kujdes prej tij. Të nesërmen, u skualifikua me zarf të zi dhe la menjëherë shtëpinë më të famshme në Shqipëri.
Klodian Duro është arrestuar në vitin 2020 dhe bëri bujë në media, pasi ish-bashkëshortja e tij e akuzonte për dhunë dhe kanosje. Ndërkohë që e gjithë vendi ishte në kushtet e panikut të pandemisë së Covid-19, Duro shkoi në shtëpinë e ish-gruas dhe e dhunoi e kanosi me jetë. Mirëpo, me daljen nga burgu, ish-futbollisti kishte parë Big Brother si një mënyrë për të pastruar emrin e tij, por mjaftuan dy gota alkool për të treguar të kundërtën.