Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në Kuvend se Ministria e Ekonomisë po zhvillon një studim për familjet e pasura. Nga foltorja e Kuvendit, kreu i qeverisë sqaroi se ky studim po bëhet për të parë mundësinë që të bëhet një ndarje e përkohshme e familjeve që mund të paguajnë më shumë për faturën e energjisë elektrike. Për taksat tha se nuk do të hiqen nga nafta.

“Deri kur të jetë këtu kjo qeveri, ato taksa të naftës nuk lëvizin, as me fakte të fabrikuara për luftë politike, as me shpifje dhe as me protesta. Për ne ka rëndësi të mos lëvizë çmimi i energjisë” tha Rama.

Nga salla nuk munguan ndërhyrjet e deputetëve të PD-së, të cilëve Rama iu përgjigj me ironi. “Dhe një zë më vjen nga lumi, më buçet më zgjon nga gjumi. Shpresa nuk ngrihet mbi iluzione, përballja nuk mund të ketë kurrë sukses me iluzione. Me iluzione bëhet Vehbiu guvernator i financave të Shqipërisë, por që të fitohet lufta duhet të dihet e vërteta, cfarë po ndodh dhe si mund t’ja dalim. Nuk mund të hyj me thellë, se më vjen tundimi duke iu parë ju përballë” tha Rama.

Por në përfundim të fjalës së Edi Ramës mes opozitës nisi “lufta” kush do i përgjigjej. Drejtuesja e seancës, Felaj tha se në bazë të rregullores i takon kryetarit të grupit, Enkelejd Alibeaj. Ky i fundit ia kaloi Jorida Tabakut, por Sali Berisha kërkoi fjalën për procedurë. Kjo është seanca e tretë e Kuvendit që Lulzim Basha mungon.

Debati në Kuvend

Berisha kërkon fjalën pasi mbaroi Edi Rama

Felaj: Në bazë të rregullores fjalën e merr kryetari i grupit të PD-së

Berisha kërkon fjalën nga vendi

Felaj: Ju lutem, Alibeaj e kalon, fjalën e ka zonja Tabaku.

Berisha: E kërkoj fjalën për procedurë.

Tabaku vijon fjalën: Kërkoj që Rama të rrinte këtu në sallë.