Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka mirëpritur Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në selinë e aleancës.
“NATO-ja do të mbrojë të gjithë aleatët dhe territorin e saj kundër një sulmi rus”, tha Blinken, teksa mbërriti për një takim të ministrave të jashtëm të aleancës në Bruksel.
Ai shtoi se alenaca nuk po kërkon konflikt.
“Por nëse konflikti vjen te ne, ne jemi gati për të dhe do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, u tha ai gazetarëve, ndërsa dënoi ato që ai i quajti sulmet ruse ndaj civilëve në Ukrainë.
Nga ana tjetër, sekretari i Përgjithshëm falënderoi Blinken për udhëheqjen e tij të jashtëzakonshme dhe përkushtimin e fortë të SHBA-ve ndaj Aleancës në këtë kohë kritike.
Ministrat e Jashtëm do të diskutojnë përgjigjen e menjëhershme të NATO-s ndaj krizës dhe implikimet afatgjata për sigurinë euroatlantike.
“Ne nuk kërkojmë luftë, konflikt me Rusinë”, tha Stoltenberg, duke shtuar që nuk duhet të ketë asnjë keqkuptim në lidhje me angazhimin për të mbrojtur të gjithë aleatët.
Për këtë arsye është rritur prania e forcave të NATO-s në pjesën lindore të Aleancës.