Kryetari i PD-së, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama në Kuvend për korrupsion me tenderat publikë, të cilat tani fitohen me 99,9% të fondit limit.
Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Berisha u shpreh se vëllai i komandatit të Gardës, Sako dhe Salillari kanë marrë tenderat me maksimumin e fondit të parashikuar.
“Kjo është një vjedhje e hapur. Ka shumë kohë që tendera fitohen 99.9% të fondit limit që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Si mund të vidhni sot qytetarët në një kohë kur paguajnë vezën, paguajnë djathin, paguajnë qumështin e foshnjes më shtrenjtë se gjermani, se francezi, se italiani? Edhe kjo për shkak të politikave tuaja çnjerëzore. Pse them që është një vjedhje e hapur? Ka prej shumë kohësh që tani tenderat fitohen gjithmonë me 99.9% të fondit limit. Kam kohë që hetoj dhe çfarë me rezulton, 99.9% e fondit limit që nuk ndodhte kurrë më parë, është paratë që fituesi i tenderit duhet ti paguajë zyrtarit dhe qeveritarit. “Do ta jap me 99.9% tenderin, por do më japësh 30% të shumës”. Kohët e fundit janë 330 milionë tenderime me 99.9%. Ndërtuesi i vilës në pajë i Edi Ramës fitoi tendering 13 milionë euro me 99,9%. Është vëllai i komandatit të gardës dhe mori tenderin e mirëmbajtjes së rrugës së Korçës”, tha Berisha.