Ka disa vite që flitet për një histori dashurie mes këngëtares së njohur italiane, Paola Turci dhe ish-të dashurës së Silvio Berlusconit, Francesca Paskale.

Teksa shpesh janë bërë kryefjalë e mediave, tani ka ardhur momenti që ato t’i thonë “po” njëra-tjetrës” me një dasmë që do të mbahet të shtunën, 2 korrik, në Toskanë.

Mediat italiane shkruajnë se martesa e tyre do të zyrtarizohet në Bashkinë Montalcino, e më pas do të vijojë me një darkë në kështjellën e Velonës.

Historia e dashurisë e pakonfirmuar, por asnjëherë e mohuar nga protagonistet, u bë publike në gusht 2020 pasi e përjavshmja “OGGI” publikoi fotot e puthjes së tyre, teksa ndodheshin me pushime në një jaht.

Katër muaj më parë, Pascale i kishte dhënë fund lidhjes me Berlusconi-n. Turci, nga ana tjetër, nuk e ka pëlqyer kurrë ndërhyrjen në privatësinë e saj. E intervistuar së fundmi nga “OGGI”, ajo tha se i ka refuzuar prej kohësh kopertinat dhe vëmendjen, sepse përmes heshtjes ka dashur të komunikojë se nuk është e nevojshme të thuash se çfarë je.

Një vit më parë, ajo përsëriti se ndihet e lirë të dashurojë kë të dojë: “Nuk kam ndërmend të ndikohem nga gjykimet e të tjerëve dhe të heq dorë nga marrëdhëniet që dua me njerëzit që zgjedh”.

Ndaj në rrjetet sociale të dy nuseve të ardhshme nuk ka asnjë të dhënë për dasmën që pritet të jetë intime, vetëm me disa miq të ngushtë.