Njerëzit që kanë variantin Omicron priren të kenë simptoma për një periudhë më të shkurtër kohe, një rrezik më të ulët për t’u shtruar në spital dhe një grup simptomash të ndryshme nga ata që kanë Delta, sugjeron një hulumtim i ri.

Studimi, i cili do të prezantohet në Kongresin Europian të Mikrobiologjisë Klinike dhe Sëmundjeve Infektive dhe është publikuar në Lancet, bazohet në të dhënat nga 63,002 pjesëmarrës të studimit Zoe Covid.

Studiuesit krahasuan pothuajse 4,990 pjesëmarrës që kishin një infeksion të konfirmuar tëCovid midis 1 qershorit dhe 27 nëntorit 2021 – kur Delta ishte varianti më i përhapur – me 4,990 individë që raportuan një infeksion midis 20 dhjetorit 2021 dhe 17 janarit 2022 kur dominonte Omicron, duke përputhur moshën, gjininë dhe nëse kishin marrë dy ose tre doza vaksinash. Më pas u krahasuan përvojat e të dy grupeve.

Ekipi zbuloi se simptomat e pjesëmarrësve zgjatën mesatarisht 6.9 ditë gjatë periudhës kur dominonte Omicron, krahasuar me 8.9 ditë kur dominonte Delta. Gjatë kohës së Omicron, njerëzit kishin ë 25% më pak gjasa që të shtroheshin në spital.

Sipas të dhënave, vetëm 17% e njerëzve që kishin Covid kur dominonte Omicron humbën shqisën e nuhatjes, krahasuar me 53% kur dominonte Delta. Dhimbja e fytit dhe ngjirja e zërit ishin simptoma më të zakonshme në rastin e Omicron.